5 tetor 2026
Një vizion politik dhe institucional për një Shqipëri normale
Ide për një program të përbashkët opozitar
Dy parimet themelore
Çlirimi i shtetit nga partia.
Çlirimi i ekonomisë nga politika.
Çfarë është një Shqipëri normale?
- Një vend ku pushtetet janë të ndara dhe kontrollojnë njeri-tjetrin,
- ku autoritarizmi parandalohet nga struktura ligjore dhe institucionale,
- ku ekonomia nuk është e varur nga politika dhe sipërmarrja private është e lirë dhe e mbrojtur nga arbitrariteti,
- ku ekonomia prodhon dhe nuk mbytet nga paratë e drogës, ku qytetarët janë të barabartë përpara ligjit,
- ku prona private është e shenjtë dhe e garantuar,
- ku drejtësia është e shpejtë, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë,
- ku qytetarët mund të ndërtojnë një jetë dinjitoze pa i patur sytë nga emigracioni,
- ku arsimi, shëndetësia dhe shërbimet e tjera publike garantojnë cilësi.
Platforma e mëposhtme ndërtohet mbi dy parime themelore:
Pse Shqipëria nuk është një vend normal?
Ka dy nivele të konstatimit të problemeve të vendit.
I pari është ai i problemeve të përditshme me të cilët përballen qytetarët:
- Çmimet dhe kostoja e lartë e jetesës.
- Pagat dhe pensionet e pamjaftueshme.
- Braktisja e vendit dhe sidomos largimi i të rinjve.
- Korrupsioni dhe padrejtësia.
- Arsimi dhe shëndetësia e dobët.
- Mungesa e mundësive.
- Pasiguria për të ardhmen.
- Nëpërkëmbja e dinjitetit të qytetarit.
I dyti është niveli i shkaqeve të thella që krijojnë problemet e mësipërme:
- Grumbullim i pothuajse të gjithë pushteteve të duart e një partie dhe madje të një individi të vetëm dhe për rrjedhojë autoritarizmi dhe monopoli politik e ekonomik në cdo sektor.
- Bllokimi i veprimtarisë së opozitës.
- Arbitrariteti, abuzimi dhe kontrolli i partisë-shtet mbi ekonominë.
- Vënia e shtetit në shërbim të interesave privatë të qeverisë, klientëve të saj dhe krimit të organizuar.
Si ta bëjmë jetën të përballueshme për qytetarin?
Problemi:
Çmime të larta, rroga të ulëta, kosto e lartë e jetesës.
Shkaqet e problemit: monopolizimi i ekonomisë, taksa që nuk prodhojnë shërbime publike cilësore, fluks i madh i parave të jashtëligjshme që mbysin konkurrencën dhe rrisin çmimet, sidomos të strehimit.
Ne mendojmë se standardi i jetesës nuk rritet duke kontrolluar çmimet, por duke duke nxitur zhvillimin ekonomik përmes luftës ndaj monopoleve dhe inkurajimit të konkurrencës. Puna e ndershme duhet të shpërblehet dhe të mundësojë një jetë normale.
Zgjidhja është ndryshimi radikal i modelit ekonomik nga një ekonomi e kontrolluar nga klientët e qeverisë dhe e varur nga pastrimi i parave të drogës në ndërtim e turizëm në një ekonomi që prodhon e eksporton.
Parimet themelore:
- Sundim i ligjit, rregulla të barabarta dhe ndalim i favorizimit.
- Rritje ekonomike e përcaktuar nga tregu dhe jo nga planet e qeverise.
- Zgjidhje e problemeve të pronës, përfshirë edhe legalizimin e drejtë, sidomos në Veri dhe zonat bregdetare të Jugut. Prona të mbrohet nga ligje të tilla si ai i Paketës së Maleve që i jep prioritet investitorit të mbështetur nga qeveria në raport me pronarin.
- Tatim i ulët dhe inkurajues për zhvillimin, me bazë të gjerë, i thjeshtë dhe i qendrueshëm për një kohë të gjatë.
- Shpenzime publike të kontrolluara dhe në funksion të shërbimeve publike. Ulje e numrit të administratës.
Masat konkrete:
- Zhdukja e monopoleve të krijuara nga qeveria.
- Kur monopolet teknike (p.sh. shfrytëzimi i minierave) janë të pashmangshme duhet konkurrencë, transparencë dhe kontroll publik mbi shfrytëzimin e tyre si dhe garantim i përfitimit të komunitetit vendor dhe shtetit.
- Reduktimi i fortë i administratës civile dhe shpenzime të panevojshme të saj.
- Ulje e taksave dhe tatimeve me synim një taksë të sheshtë dhe shoqëruar me uljen e shpenzimeve shtetërore dhe eleminimin e abuzimeve. Ulja e taksave duhet bërë duke patur parasysh konkurrencën fiskale me rajonin.
- Përgatitje e sipërmarrjes për përshtatjen me direktivat dhe standardet e BE-së në kuadër të integrimit.
- Ndalimi i kontrolleve rutinë mbi biznesin. Kontrollet duhet të bëhen vetëm në rastet kur institucionet kanë indikacione për shkelje. Kriteret e red flags duhen të jenë transparente dhe publike.
- Luftë serioze kundër pastrimit të parave të jashtëligjshme, sidomos në ndërtim.
- Heqja e tatimeve mbi qeratë e banesave për të ulur qeratë dhe për të rritur konkurrueshmërinë e kostos së turizmit në raport me rajonin.
- Politika për inkurajimin e përdorimit të teknologjive të reja të informacionit.
- Rishikim dhe nëse është e mundur anulim i kontratave PPP që privilegjojnë dhe garantojnë fitimet për privatin. Ndalim i kontratave me fitim të garantuar për të ardhmen.
- Ulja ose heqja e taksave dhe tatimeve që rrisin artificialisht koston e ndërtimit.
- Plane zhvillimi urban të qendrueshme dhe të pandryshueshme për favorizim të klientëve të qeverisë.
- Kontroll i rreptë i burimit të parave të blerjeve të apartamenteve për të vështirësuar pastrimin e parave.
- Orientimi i ndërtimit duke synuar qendra urbane multipolare duke i paraprirë zhvillimit urban me infrastrukturën e përshtatshme dhe shërbimet publike të nevojshme.
- Krijimi i një Indeksi të Kostos së Jetesës të përcaktuar me metodologji të qartë e konstante nga një bashkëpunim mes shoqërisë civile dhe INSTAT-it. Indeksi matet dhe publikohet cdo 6 muaj.
- Ulja e TVSH-së për produktet e shportës, të paktën deri në mesataren e rajonit.
- Heqja e taksës së dyfishtë të qarkullimit në koston e karburantit ose në taksat vjetore të makinave.
- Ulja e tarifave penalizuese për karikuesit e shpejtë të makinave elektrike.
- Parandalim i strategjive të koordinuara të përcaktimit të çmimeve në situata oligopoli.
- Lehtësim i marrjes së lejes për instalimin e paneleve diellore.
- Shkëmbim i drejtë i tepricës së prodhimit të energjisë nga individët ose kompanitë pa favorizuar operatorin publik.
- Konkurrencë e hapur për transportin publik dhe jo monopole të përhershme.
- Investim publik në hekurudha ndërurbane dhe ato që lidhin vendin me fqinjët.
Si ta bëjmë shtetin të punojë realisht për qytetarin?
Arsimi dhe shëndetësia:
- Ngritja e autoritetit të mësuesit në klasë. Mësuesi mbrohet nga ndërhyrjet e prindërve, drejtuesve të shkollave dhe politikës.
- Kurrikulume të reja në përputhje me kurrikulumet perëndimore dhe jo thjeshtime të tyre.
- Zbatim i parimit “Paraja ndjek nxënësin”, pra përcaktimi i një kuponi që familja e përdor për shkollimin e fëmijës qoftë në publik, qoftë në privat, kombinuar me mbështetje financiare për nxënës a studentë të shkëlqyer që nuk e përballojnë dot shkollimin dhe koston e jetesës gjatë studimeve.
- Bursa studimi për studentët që zgjedhin degët e studimit që përgatisin mësuesit e të ardhmes, njësoj si bëhet për studentët e Akademisë së Rendit.
- Lehtësim i kushteve ligjore të punësimit të mësuesve të degëve specifike që nuk plotësojnë kriteret klasike, sidomos për degët me natyrë teknike si ato të teknologjive të reja.
- Lehtësim i barrës burokratike të punës së mësuesit.
- Ndalim absolut i angazhimit të mësuesve në fushata politike të kërkuar nga drejtuesit vendorë të arsimit.
- Autonomi e plotë e universiteteve publike; vendimarrje nga universiteti.
- Kontrolli dhe auditimi financiar i universiteteve publike duhet të bëhet me transparencë të plotë nga institucione të pavarura nga qeveria.
- Unifikim i vendimarrjes në universitetet publike përkundër dyzimit mes rektorit dhe administratorit.
- Përparësi e senatit në vendimarrje në raport me administrimin financiar.
- Gjithëpërfshirje dhe konsultim i hapur i të gjithë palëve për vendimarrjet e rëndësishme.
- Rritja e investimit në kërkimin shkencor sipas prioriteteve të vendit.
- Ndalim i koncesioneve abuzive në shëndetësi. Projektet PPP, nëse do të jenë të pashmangshme, duhet të ndërtohen mbi konkurrencë të ndershme dhe transparencë maksimale. Shteti nuk duhet të garantojë fitimin e privatit dhe financimi duhet të reflektojë logjikën ekonomike dhe jo interesat e privatit.
- Zhdukja e monopoleve farmaceutike dhe atyre të shërbimeve shëndetësore.
- Zbatimi i kritereve të cilësisë së ilaçeve dhe pajisjeve të përcaktuara nga direktivat e BE-së.
- Ndalim i tregtimit të ilaçeve që nuk janë licensuar në vendet e BE-së.
- Investim në programet universitare që përgatisin farmacistë, mjekë dhe infermierë.
- Mbrojtje e autoriteteve shëndetësore nga ndikimi politik.
Si ta bëjmë shtetin të përgjegjshëm?
Problemi:
Aktualisht zyrtarët nuk mbajnë përgjegjësi për dëmet që i shkaktojnë buxhetit dhe qytetarëve. Kjo ndodh për shkak të mbrojtjes politike dhe asaj ligjore. Ne mendojmë se dëmi duhet parandaluar me instrumente ligjorë që përcaktojnë përgjegjësi individuale për shkaktarët.
Zgjidhjet e propozuara:
Përgjegjësia politike dhe administrative:
- Detyrim dorëheqjeje për zyrtarët që i shkaktojnë dëme të qëllimshme shtetit.
- Ndalim i ripunësimit në administratën publike i zyrtarëve që i shkaktojnë dëme shtetit.
- Zyrtarët që nuk respektojnë detyrimin ligjor për të dhënë informacion mediave shkarkohen automatikisht.
- Zyrtarët që punësojnë ose shkarkojnë nëpunës civile duke shkelur ligjin shkarkohen automatikisht dhe paguajnë dëmin e shkaktuar nga gjyqet.
- Eprorët që nuk shkarkojnë zyrtarët me shkeljet e mësipërme shkarkohen gjithashtu.
Përgjegjësia financiare:
- Sekuestrim të pasurive të pajustifikuara të zyrtarëve të lartë brenda dyshimit të arsyeshëm.
- Zyrtari që shkakton dëme shtetit ose palëve të treta me vetëdije detyrohet të kompensojë këto dëme nga financat e tij.
Si ta vendosim pushtetin nën kontroll?
Problemi:
Partia në pushtet kontrollon shumicën e pushteteve. Shumica ka reduktuar dhe penguar të drejtat e opozitës përfshirë edhe të drejtën për komisionet hetimore parlamentare, interpelancat, debatin mbi cështje të ndryshme, etj. Partia në pushtet ka kontroll të plotë mbi agjensitë e pavarura si dhe ndikon edhe në sistemin e drejtësisë.
Propozimet:
Zgjedhjet:
- Miratimi i një kodi të ri zgjedhor që garanton një përfaqësim më të drejtë e të barabartë të qytetarëve. Propozimi ynë është proporcionali kombëtar, me koalicione parazgjedhore për një parlament me 140 deputetë.
- Zgjedhjet vendore të bëhen me raund të dytë nëse në raundin e parë asnjë nga kandidatët nuk merr 50%+1 të votave.
- Kontroll automatik për financimin e fushatave zgjedhore dhe marrje masash konkrete penale ndaj shkelësve sipas ligjeve në fuqi.
- Penalitete serioze financiarë për partitë që shkelin ligjet përkatëse që rregullojnë funksionimin e zgjedhjeve
Jeta parlamentare:
- Garantimi ligjor i opozitës për komisione hetimore parlamentare pa patur nevojë për miratimin nga shumica. Komisioni konsiderohet i krijuar me depozitimin e kërkesës prej një të katërtës së deputetëve. Administrata e Kuvendit ka vetëm detyrën për të verifikuar mandatet. Në rast të tejkalimit të një afati të shkurtër (p.sh. 1 javor) komisioni konsiderohet i krijuar dhe personi që ka vonuar verifikimin përgjigjet penalisht për vonesën dhe/ose shkarkohet.
- Interpelanca të detyrueshme periodike të kryeministrit (p.sh. 1 herë në muaj) si dhe interpelanca të detyrueshme në rast të situatave të jashtëzakonshme.
- Interpelanca të detyrueshme për ministrat nëse kërkohen nga të paktën 10 deputetë. Në rast vonese përtej një afati të arsyeshëm prej disa ditësh, ministri konsiderohet i shkarkuar.
- Mundësia e një mocioni mosbesimi në kuvend për një ministër të caktuar pa shkaktuar rënien e të gjithë qeverisë.
- Një Zyrë Parlamentare e Buxhetit me anëtarësi të ekuilibruar mes anëtarëve/ekspertë të propozuar nga shumica dhe opozita. Kjo zyrë do të raportojë në kuvend dhe në publik koston e nismave ligjore dhe marrëveshjeve të propozuara për ratifikim nga Kuvendi.
- Kufizim i qartë dhe i detajuar i miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar dhe kushtëzimi i tyre me miratimin e një shumicë të cilësuar. Gjithashtu detyrim ligjor për rishikimin e këtyre ligjeve pas një afati të caktuar.
- Opozita cakton drejtuesin e Komisionit të Kontrollit të Financave Publike.
- Ndalim kushtetues për miratimin e ligjeve të destinuara për të sjellë përfitime për një individ apo kompani. Ligjet nga të cilat përfitojnë kategori të ngushta miratohen vetëm me shumicë të cilësuar.
Institucionet e pavarura:
- Mandate unike 6-7 vjeçare pa të drejtë rizgjedhjeje.
- Përjashtimi i institucionit nga përcaktimi i kuadrit ligjor të funksionimit të tij.
- Zgjedhja dhe shkarkimi i drejtuesve të këtyre institucioneve bëhet me shumicë të cilësuar.
- Avokati i Popullit propozohet nga opozita. Shumica përzgjedh mes kandidaturave të propozuara nga opozita.
- Emërimet e drejtuesve shpërndahen në kohë në mënyrë që një qeveri të mos emërojë dot njëkohësisht të gjithë drejtuesit.
- Autonomi dhe buxhet i përcaktuar me ligj. Mosrespektimi i autonomisë ose bllokimi i buxhetit sjell përgjegjësi penale për funksionarin përgjegjës.
Si të kemi një drejtësi të pavarur dhe funksionale?
Problemi:
Për 36 vite drejtësia në Shqipëri është parë si një hallkë e kalbur e qeverisjes, magjistratë të korruptuar dhe pak profesionalë, vonesa dhe drejtësi e larguar nga qytetari. Ligjet e paqarta kanë zvarritur çështjet me vite në dyert e gjykatës. Reforma në drejtësi e vitit 2016 u përpoq të ndryshojë systemin, por rezultatet 10-vjeçare tregojnë që problematikat e gjyqësorit mbeten. Vazhdojmë të kemi vonesa të rënduara në cështjet gjyqësore, cilësia e vendimeve të gjykatës lë ende për të dëshiruar, integriteti i gjyqtarit mbetet i dyshimtë dhe politika dhe partia në pushtet përpiqet me çdo mjet të kontrollojë gjyqësorin, parimi check & balance nuk zbatohet dhe mbi Kushtetutën ndërhyhet vetëm për interesa politike.
- Forcim i rolit të gjyqtarit dhe prokurorit.
- Ulja e stokut të dosjeve të vonuara duke rritur numrin e magjistratëve, dhënien e mundësisë së profesionistëve të sistemit të drejtësisë me mbi 20 vite punë për të konkuruar për magjistratë të të gjitha niveleve.
- Garanci finaciare per sistemin gjyqësor.
- Riaktivizimin e zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor, si mjet i drejtperdrejt për pavarësimin e gjyqësorit.
- Bashkimi i dy këshillave KLP dhe KLGJ në një Këshill Magjistratësh. KLGJ dhe KLP sot janë kthyer në organe pothuajse jofunksionale të cilat po zvarrisin emërimet në gjyqësor.
- Forcimi i rolit të Prokurorisë së Përgjithshme duke ndërhyrë në paketën ligjore të drejtësisë.
- Pavarësimi i Shkollës së Magjistraturës nga ndikimi politik.
- Vlerësimi i figurës së Gjyqtarit nga komuniteti i juristëve, zgjedhje brenda gjyqësorit, drejtuesit e gjykatave të zgjidhen nga gjyqtarë.
- Mbrojtja e gjyqtarëve nga sulmet politike dhe vendosja e nje garancie karriere brenda gjyqësorit, e pavarur nga politika.
- Forcimi i rolit të Avokatit në procesin hetimor dhe gjyqësor duke ndërhyr me ndryshime ligjore ne KPrP, si mjet garantues i lirive dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Si konkluzion:
- Gjyqësori duhet të çlirohet nga ndërhyrja e poltikës.
- Sistemi duhet të japi drejtësi të shpejtë dhe cilësore.
- Karriera e magjistratëve të garantohet.
- Marrja e rolit menaxhues të Prokurorisë së Përgjithshme.
- Gjyqësori duhet të ketë një pavarësi të gjerë financiare.
Si të garantojmë sigurinë e vendit dhe të kemi diplomaci efikase?
Vizioni.
Shqipëria duhet të kalojë nga një sistem i fragmentuar dhe reaktiv në një Sistem të Integruar të Sigurisë Kombëtare, që parashikon rreziqet, parandalon krizat, mbron qytetarët dhe i shndërron angazhimet ndaj NATO-s dhe BE-së në kapacitete të matshme.
- Arkitekturë e integruar e sigurisë kombëtare. Reformim Këshillit të Sigurisë Kombëtare; Sekretariat i Përhershëm Teknik dhe Analitik; ligj kuadër për sistemin e sigurisë; procedura të detyrueshme për shkëmbimin e informacionit; koordinim me Kuvendin; rishikim periodik i strategjive.
- Qendër Kombëtare e Reziliencës dhe Paralajmërimit Strategjik. Krijim i një strukture të përhershme për vlerësimin shumë-rrezikësh, paralajmërimin e hershëm, hartimin e skenarëve dhe alternativave të reagimit, analizën e varësive kritike dhe koordinimin e krizave komplekse. Qendra do të bashkojë mbrojtjen, rendin, inteligjencën, mbrojtjen civile, shëndetësinë, energjinë, transportin, financat dhe sigurinë kibernetike.
- Rritja e kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me rreziqet dhe sfidat. Shqipëria duhet të jetë e aftë të mbrojë vetveten edhe në mënyrë të pavarur në skenarin e vështirësive të partnerëve për të garantuar sigurinë tonë.
- Rritja e buxhetit të mbrojtjes në përputhje me objektivat e NATO-s.
- Parandalim i koordinuar dhe ndërsektorial i ndikimit negativ të faktorëve të huaj.
- Shërbim kombëtar dhe rezervë funksionale. Vlerësim i një modeli të shërbimit ushtarak ose civil, trajnim në mbrojtje civile dhe profile të specializuara në kibernetikë, komunikime, inxhinieri e logjistikë.
- Integritet i prokurimeve dhe mbrojtje e aseteve kombëtare. Inventar dhe regjistër i aseteve strategjike; përcaktim ligjor i aseteve të mbrojtura ose të patjetërsueshme.
- Menaxhim proaktiv i krizave dhe rezerva strategjike. Plane të testuara në çdo bashki; sisteme të integruara paralajmërimi; të paktën dy teste kombëtare në vit; plane për vijueshmërinë e institucioneve kritike; inventar i auditueshëm i rezervave deri në 3-6 muaj.
- Rikthim i diplomacisë aktive dhe rolit rajonal të Shqipërisë. Politika e jashtme duhet të lidhet me sigurinë kombëtare, integrimin euroatlantik, diplomacinë parandaluese, energjinë, mineralet kritike dhe investimet e sigurta.
- Bosht strategjik Shqipëri-Kosovë. Krijim i një mekanizmi të përhershëm konsultimi politik dhe sigurie Tiranë-Prishtinë. Tirana duhet të ndërmjetësojë kur kërkohet, të shmangë ndërhyrjen partiake dhe të ruajë një qëndrim kombëtar të parashikueshëm.
- Maqedonia e Veriut dhe shqiptarët në rajon. Mbështetje për stabilitetin, kohezionin ndëretnik, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat institucionale të shqiptarëve, përmes diplomacisë shtetërore dhe jo ndikimit partiak. Bashkëpunimi rajonal duhet të përqendrohet te kufijtë, migracioni, infrastruktura kritike, fatkeqësitë dhe lufta kundër ndërhyrjeve të huaja.
- Integritet diplomatik dhe mbrojtje e informacionit. Rivlerësim periodik sigurie për personelin me akses në informacion të klasifikuar; i kundërzbulimit dhe bashkëpunimit me shërbimet partnere.
- Integrimi Evropian duhet te jete nje proces i brendshem transformues, jo miratim formal i direktivave dhe rregullave te BE. Duhet kaluar në fazën e jetësimit të reformave, veçanërisht ne fushën e shtetit ligjor, funksionimit demokratik të institucioneve dhe tranformimin e ekonomisë shqiptare në ekonomi konkuruese.
Si të zhvillojmë territorin në interes të qytetarit
01 Kompetenca të qarta
- Rishikim i kompetencave për zhvillimin e territorit, duke hequr mbivendosjet dhe duke lidhur përgjegjësitë me burimet financiare e njerëzore në përpjekje të rritjes së efiçensës në vendimmarrje.
- Për projektet me ndikim të madh publik, oponenca teknike të jetë e pavarur nga propozuesi dhe të publikohet përpara vendimit. Institucioni miratues të mos jetë kontrolluesi i vetëm i përmbushjes së interesit publik.
02 Planifikim në shkallë lagjeje
- Zhvillimi të kushtëzohet me zgjidhjen e nevojave të lagjes për infrastrukturë dhe shërbime publike. Çdo ndryshim i planit të shoqërohet me arsyetim publik, krahasim të alternativave dhe konsultim me banorët përpara miratimit.
03 Qartësi mbi pronësinë
- Një hartë digjitale kombëtare dhe arkiv të përbashkët të pronave, me përgjegjësi për përditësimin dhe korrigjimin e mospërputhjeve. Për kalimin e pasurive shtetërore ose bashkiake në përdorim apo pronësi private, të publikohet paraprakisht përfitimi për komunitetin dhe garancitë për realizimin e tij.
- Zgjerimi i së drejtës së blerjes së tokës nga të huajt të shqyrtohet pasi shteti të përmbushë detyrimet e njohjes, kthimit dhe kompensimit ndaj qytetarëve.
04 Hapësira publike dhe cilësia e mjedisit urban
- Rritja e dendësisë urbane të kushtëzohet me hapësira publike në përpjesëtim me popullsinë e shtuar, pa pakësuar ato ekzistuese. Investimet për përmirësimin e mjedisit urban të orientohen drejt lagjeve me ekspozimin më të lartë ndaj ndotjes, zhurmave dhe mungesës së hapësirave publike.
05 Trashëgimi e mbrojtur
- Vlerësimi i trashëgimisë të përfshijë komunitetin, duke lidhur mbrojtjen fizike me ruajtjen e përdorimeve komunitare. Të garantohet oponenca përpara vendimit dhe shqyrtimi i ankimit përpara ndërhyrjeve të pakthyeshme.
06 Natyrë dhe siguri
- Kufizimet e zhvillimit që burojnë nga burimet natyrore dhe rreziku të mos anashkalohen përmes ndryshimit të përdorimit të tokës ose procedurave të posaçme. Kufijtë mjedisorë të përcaktuar në nivel plani të lidhen me vlerësimin e projekteve, përmes të dhënave të përbashkëta për ngarkesën nga zhvillimet ekzistuese dhe të miratuara.
07 Infrastrukturë që lidh
- Miratimi i investimeve të ketë prioritet lidhjen e vendbanimeve, transportin publik dhe rrjetet vendore. Objektivat për kohën e udhëtimit, sigurinë dhe përballueshmërinë e shërbimeve të miratohen bashkë me investimin.
08 Arkitekturë për përdoruesit
- Për projektet me ndikim të madh publik, nevojat të përcaktohen me përdoruesit dhe alternativat të shqyrtohen në mënyrë të pavarur përpara miratimit. Përpara prishjes, rinovimi dhe ripërdorimi të krahasohen me ndërtimin e ri për kostot, ndikimin mjedisor dhe nevojat që përmbushin.
09 Zhvillim rajonal i balancuar
- Organizimi territorial të bëhet sipas parimeve të zhvillimit rajonal. Këtyre sturkturave t’u jepet përgjegjësi të qarta dhe financim shumëvjeçar për investimet ndërbashkiake, me përfaqësim të bashkive në vendimmarrje për zbutur pabarazitë rajonale ne vend.
Shtojcë: si të bëjmë të mundur ndryshimin politik?
Qeveria aktuale është arkitekte dhe garante e një sistemi abuzimi që vetëgjenerohet: qeveria siguron favore dhe mbrojtje për klientët dhe krimin e organizuar, ndërsa këta të fundit sigurojnë mbështetjen e nevojshme për mbledhjen e votave dhe vijimësinë e pushtetit.
Drejtësia, edhe ajo jo plotësisht e përkryer dhe as plotësisht e pandikuar nga qeveria, bën punën e saj me rezultate gjithsesi shumë të dobishme, mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë.
Protestat masive treguan gadishmërinë e qytetarëve për të rrëzuar sistemin në fjalë.
POR QEVERIA MUND TE NDRYSHOHET VETEM ME VOTE.
Për këtë arsye ne mendojmë si të domosdoshme:
Bashkëpunimin e çdo energjie opozitare në një front të vetëm për rrëzimin e qeverisë. Ky front do të përfshinte: të gjithë partitë opozitare pa përjashtim, përfaqësues të protestës, individë me integritet dhe kompetenca si dhe organizata opozitare në shoqërinë civile.
Konkretisht ne propozojmë:
- Këmbënguljen e opozitës në Kuvend për ndryshimin e kodit zgjedhor aktual me këta elementë: një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me koalicione parazgjedhore në një kuvend me 140 deputetë.
- Kërkesën për zbatimin e balotazhit që në zgjedhjet vendore të majit 2027.
- Një kandidat të përbashkët opozitar për kryebashkiak për secilën bashki në zgjedhjet e ardhshme. Në rast mosmarrëveshjeje kandidati të përcaktohet me ndihmën e sondazheve të paanshme, sidomos për Tiranën.
- Propozimi i listave të përbashkëta për anëtarët e këshillave bashkiakë.
- Angazhimin maksimal në kuvend, në shesh dhe media dhe me partnerët ndërkombëtarë për zëvendësimin e qeverisë aktuale me një qeveri kujdestare që do të përgatiste me paanshmëri zgjedhjet të parakohshme parlamentare.
- Një listë të përbashkët kandidatësh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo listë duhet të përfshijë kandidatë të pranueshëm prej votuesve nga secila nga partitë, përcaktuar eventualisht edhe nga sondazhet publike.
- Nëse zbatohet sërish parimi i listave pjesërisht të mbyllura atëherë këto të fundit të përdoren për të promovuar figura me kapacitete, integritet dhe reputacion nga shoqëria civile.
- Një strategji dhe program të përbashkët konsensual opozitar për çmontimin e sistemit klientelist qeveri/biznese përfituese/krim i organizuar.
Forumi i Dialogut do të angazhohet për mundësimin e kësaj strategjie, siç ka bërë edhe më parë.